Qendra Jonathan

Fuqizuam Ëndrrat Bashkë

Nga shtatori 2024 deri në mars 2025, Qendra Jonathan zbatoi projektin “Fuqizojmë Ëndrrat”, me qëllim mbështetjen e zhvillimit të hershëm të fëmijëve me nevoja të posaçme përmes mjeteve terapeutike inovatore.

Ky projekt u bë i mundur falë dhurimeve përmes platformës Smile.al dhe mbështetjes bujare të Credins Foundation – një bashkëpunim që solli ndryshim të prekshëm në jetën e fëmijëve tanë.

Pse ky projekt ishte i rëndësishëm

Vitet e para të jetës janë thelbësore për zhvillimin e trurit. Për një fëmijë me nevoja të posaçme, ndërhyrja e hershme është vendimtare për të ndihmuar zhvillimin e aftësive motorike, aftësive kognitive dhe sociale & komunikimit dhe vetëbesimit.

Kush përfitoi

Gjatë periudhës 7-mujore të projektit, mbi 50 fëmijë të moshës 0–8 vjeç me Sindromën Down, Autizëm, Encefalopati dhe diagnoza të tjera zhvillimore, përfituan nga terapitë e përmirësuara dhe pajisjet e reja që sot janë pjesë e përditshme e programeve tona terapeutike.

Çfarë arritëm së bashku

Pajisëm sallat e terapisë me mjete të reja për integrim sensorial, fizioterapi dhe terapi të të folurës.

Përmirësuam efikasitetin e seancave terapeutike dhe rritëm pjesëmarrjen aktive të fëmijëve.

Mbështetëm familjet dhe terapistët në procesin e ndërhyrjes së hershme.

Forcuam besimin se çdo fëmijë mund të arrijë më shumë kur ka mbështetjen e duhur.

Ndikimi

Rezultatet ishin të prekshme:

Fëmijët arritën përmirësime të dukshme në lëvizje, komunikim dhe ndërveprim shoqëror.

Terapistët vërejtën përparim më të shpejtë dhe pjesëmarrje më të gëzueshme gjatë seancave.

Familjet panë ndryshime të mëdha në pavarësinë dhe vetëbesimin e fëmijëve të tyre.

Mirënjohje të veçantë 

Një falënderim i sinqertë për Credins Foundation dhe Smile.al që besuan në këtë kauzë dhe na ndihmuan të fuqizojmë ëndrrat e fëmijëve tanë. Kontributi i tyre solli ndryshim real në çdo përqafim, buzëqeshje dhe hap të ri drejt pavarësisë.

Ky projekt dëshmon se kur bashkohemi për një kauzë, ndodhin gjëra të jashtëzakonshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *