Qendra Jonathan

Evente

NIGHT TO SHINE

Night to Shine është një përvojë e paharrueshme e mbrëmjes së maturës, e përqendruar në dashurinë e Perëndisë për individët me nevoja të posaçme të moshës 14 vjeç+. Ky event sponsorizohet nga Tim Tebow Foundation dhe vjen në Shqipëri nëpërmjet kishës lokale Icf Tirana në bashkëpunim me Jonathan Center dhe shumë partnerë lokal. Jemi shumë të privilegjuar të jemi pjesë e kësaj lëvizje mbarëbotërore në rritje, e cila i ka fillesat në vitin 2014 me organizimin e parë të këtij eventi magjik nga Tim Tebow Foundation dhe për herë të parë në Shqipëri, Tiranë, prej vitit 2016. Janë festuar dhe gëzuar mijëra të rinj me nevoja të posaçme dhe do të vazhdojnë të festohen për t’i kujtuar çdo individi dashurinë e Perëndisë për ta dhe sesa të çmuar janë në sytë e Tij.

21 Marsi - Dita Botërore e Sindromës Down (DBSD)

21 Marsi (21/3) shënon Ditën Botërore të Sindromës Down, një datë e zgjedhur simbolikisht për shkak të lidhjes së saj me trizominë 21 (21;3).
Në këtë ditë, në shumë vende të botës organizohen aktivitete publike me qëllim sensibilizimin dhe informimin e komunitetit mbi Sindromën Down. Shqipëria, për herë të parë, u bë pjesë e këtyre festimeve më 21 Mars 2012, përmes Qendrës Jonathan.

Gjatë vitit 2025, fushata e 21 Marsit u zhvillua në kuadër të thirrjes globale “Përmirësoni Sistemet Tona Mbështetëse”, duke u fokusuar në advokimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik. Përmes një ankete të realizuar me 89 prindër, u evidentuan dy nevoja kryesore: mbështetje financiare për nënat dhe kujdestarët kryesorë, si dhe ndihmë ekonomike për të rriturit me nevoja të posaçme. Këto kërkesa u reflektuan dhe u adresuan edhe përmes mediave lokale dhe ndërkombëtare.

Në kuadër të fushatës, u realizua një video sensibilizuese në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, si dhe një sërë bashkëpunimesh mediatike, përfshirë emisionin Wake Up. Paralelisht, Qendra Jonathan mori pjesë në konferenca dhe diskutime ndërkombëtare, përfshirë aktivitete në New York, EESC në Bruksel dhe Samitin Global të Aftësisë së Kufizuar në Berlin. Në total, fushata arriti mbi 128,130 shikime në rrjetet sociale, duke e kthyer advokimin në një mjet konkret për forcimin e zërit të familjeve që përfaqësojmë.